
5 SHTATOR 2026 – DITA KU ZEMRA FLET MË FORTË
Më 5 shtator, pas çerekut të fundit të Hënës, klima mbetet ende në fazë rishikimi, por Hëna kalon nga Binjakët në Gaforre gjatë ditës dhe e zhvendos vëmendjen nga mendja te ndjenja. Pas ditëve me shumë analizë, dokumente, fjalë dhe tension mendor, Hëna në Gaforre sjell nevojë për shtëpi, familje, kujdes, mbrojtje, emocione, ushqim, kujtime dhe siguri. Kjo është një ditë ku gjërat nuk duhen parë vetëm me logjikë. Trupi dhe zemra flasin më fort.
Marsi ndodhet ende në Gaforre dhe kjo e bën kalimin e Hënës në këtë shenjë edhe më të ndjeshëm. Kur Hëna hyn në Gaforre, ajo fillon të afrohet me Marsin, duke rritur energjinë emocionale. Nuk është ende kulmi më i fortë, por atmosfera fillon të bëhet më familjare, më mbrojtëse dhe njëkohësisht më reaktive. Mund të kemi më shumë dëshirë të kujdesemi për njerëzit tanë, por edhe më shumë ndjeshmëri ndaj fjalëve, kujtimeve ose sjelljeve të të tjerëve.
Kjo ditë prek më shumë Gaforren, Dashin, Peshoren dhe Bricjapin, sepse Hëna dhe Marsi në Gaforre aktivizojnë shenjat kardinale. Më të ndjeshëm janë ata të dhjetëditëshit të parë dhe të dytë. Gaforrja mund të ndiejë emocione të forta dhe nevojë për të mbrojtur veten ose familjen. Dashi mund të përballet me tema shtëpie dhe familjeje. Peshorja mund të ndiejë tension midis karrierës dhe jetës private. Bricjapi mund të ketë më shumë ndjeshmëri në marrëdhënie.
Dita është e mirë për biseda familjare, por vetëm nëse bëhen me butësi. Është e mirë për punë në shtëpi, rregullime, gatim, kujdes ndaj trupit, terapi emocionale, vizitë te familjarët, planifikim zhvendosjeje, pastrim energjie në shtëpi dhe çështje që kërkojnë përkujdesje. Mund të jetë e dobishme për check-up, sidomos nëse trupi ka dhënë sinjale gjatë ditëve të mëparshme. Për dietë, Hëna në Gaforre kërkon kujdes me ushqimin emocional; nuk duhet të hamë për të qetësuar ankthin.
Për marrëdhënie, dita mund të jetë e ëmbël nëse ka siguri dhe kujdes, por mund të bëhet e vështirë nëse hapen tema të vjetra familjare ose ndjenja të pazgjidhura. Për ribashkim, atmosfera është emocionale, por jo plotësisht neutrale; duhet kujdes që të mos kthehemi te e kaluara vetëm nga nostalgjia. Për blerje shtëpie ose çështje prone, dita mund të jetë e mirë për diskutim dhe përgatitje, por jo për vendime të nxituara emocionale.
Duhet të shmangim mërinë, ndjeshmërinë e tepruar, manipulimin emocional, kujtimet që përdoren si armë, shpenzimet për shtëpinë pa plan, reagimet nga frika dhe debatet familjare. Dita kërkon butësi, por edhe kufi. Jo çdo ndjenjë duhet të kthehet në reagim.
Këshilla e ditës:
Mos lejoni që emocionet e momentit të përcaktojnë veprimet tuaja. Sot është ditë për familjen, shtëpinë, kujdesin dhe qetësinë, por duhet të ruani kontrollin mbi reagimet tuaja. Mos e ktheni nostalgjinë në vendim dhe mos përdorni të kaluarën si armë në marrëdhënie. Ndieni gjithçka, por mos reagoni ndaj gjithçkaje.
Mos harroni ti bëni Like faqeve tona në Facebook
https://www.facebook.com/jorgopulla.astrologu
Ju presim…