
PARASHIKIMET MUJORE: Gusht 2026
Dy Eklipse, Një Muaj që Nuk Lë Asgjë si Më Parë!
Të dashur miq, muaji gusht 2026 është një nga muajt më të rëndësishëm dhe më të ngarkuar astrologjikisht të vitit. Nuk kemi përpara një muaj të thjeshtë, me ndikime të zakonshme dhe kalimtare. Gushti sjell ndryshime të forta planetare, lëvizje të rëndësishme në qiell, dy eklipse, aktivizim të shenjave fikse dhe të shenjave të ndryshueshme, si edhe një atmosferë që na detyron të kuptojmë më qartë se çfarë duhet të mbyllet, çfarë duhet të ndryshojë dhe çfarë duhet të fillojë nga e para.
Ky muaj hapet me një sfond të fortë planetar, sepse gjatë gjithë gushtit Saturni, Neptuni dhe Plutoni janë në retrogradë. Kjo tregon se shumë procese nuk ecin vetëm nga jashtë, por punojnë thellë nga brenda. Saturni në retrogradë kërkon përgjegjësi, pjekuri dhe rishikim të vendimeve. Neptuni në retrogradë ul iluzionet dhe na detyron të shohim më qartë se ku kemi besuar shumë, ku kemi idealizuar situata apo njerëz, dhe ku duhet të kthehemi te realiteti. Plutoni në retrogradë sjell transformim të brendshëm, pastrim psikologjik dhe një nevojë të fortë për të mos mbajtur më kontroll mbi gjëra që tashmë kanë përfunduar ciklin e tyre.
Që në fillim të muajit, më 3 gusht, Kironi kthehet në retrogradë në shenjën e Demit, në 00°52’. Ky është një ndikim shumë i ndjeshëm, sidomos për dhjetëditëshin e parë të Demit, Akrepit, Luanit dhe Ujorit. Këtu hapen tema që lidhen me vlerën personale, sigurinë, trupin, paratë, stabilitetin dhe plagët që kanë të bëjnë me ndjenjën: “A jam mjaftueshëm i vlefshëm?” Për Demin, ky ndikim është shumë personal. Për Akrepin, mund të lidhet me marrëdhëniet dhe balancën mes dhënies dhe marrjes. Për Luanin dhe Ujorin, mund të sjellë tension mes nevojës për siguri dhe nevojës për ndryshim.
Më 6 gusht, Afërdita hyn në Peshore. Kjo është një nga pozicionet më elegante dhe më të forta të Afërditës, sepse Peshorja lidhet me marrëdhëniet, harmoninë, bukurinë, marrëveshjet, diplomacinë dhe ekuilibrin. Nga kjo datë e tutje, marrëdhëniet bëhen një nga temat kryesore të muajit. Ndikohen më shumë Peshorja, Dashi, Gaforrja dhe Bricjapi, sidomos dhjetëditëshi i parë dhe i dytë i këtyre shenjave. Për Peshoren mund të jetë një periudhë më tërheqëse, më sociale dhe më e rëndësishme për dashurinë. Për Dashin mund të sjellë fokus te partneritetet. Për Gaforren dhe Bricjapin mund të krijojë nevojë për të rregulluar marrëdhënie familjare, profesionale ose emocionale që nuk janë më në ekuilibër.
Më 9 gusht, Merkuri hyn në Luan. Merkuri nuk është në retrogradë gjatë këtij muaji, prandaj komunikimi ecën më drejtpërdrejt, por në Luan bëhet më i fortë, më krenar, më krijues dhe ndonjëherë më dramatik. Fjalët marrin peshë. Vendimet thuhen me më shumë siguri. Mendimet nuk mbahen lehtë të fshehura. Ky kalim ndikon fort Luanin, Ujorin, Demin dhe Akrepin, duke aktivizuar sidomos çështje të komunikimit, vendimeve, lajmeve dhe deklarimeve personale.
Më 11 gusht, Marsi hyn në Gaforre. Kjo ndryshon shumë tonin e muajit, sepse Marsi, planeti i veprimit, dëshirës dhe konfliktit, kalon në një shenjë ujore, emocionale dhe familjare. Veprimi nuk bëhet më vetëm për ambicie, por për mbrojtje, familje, shtëpi, njerëz të afërt dhe siguri emocionale. Ndikohen më shumë Gaforrja, Bricjapi, Dashi dhe Peshorja, sidomos dhjetëditëshi i parë dhe fillimi i dhjetëditëshit të dytë. Për Gaforren, ky është një aktivizim shumë personal. Për Dashin dhe Peshoren mund të sjellë tension, nxitim ose përplasje mes jetës personale dhe detyrimeve. Për Bricjapin, mund të nxjerrë në pah çështje marrëdhëniesh dhe bashkëpunimesh që kërkojnë qartësi.
Pika më e fortë e parë e muajit vjen më 12 gusht. Në orën 19:36, sipas orës së Shqipërisë, kemi Hënën e Re në Luan, në 20°01’. Vetëm pak minuta më vonë, në orën 19:47, ndodh eklipsi diellor në Luan, në 20°08’. Kjo është ngjarja kryesore e gjysmës së parë të muajit. Një Hënë e Re zakonisht hap një cikël të ri, por kur shoqërohet me eklips diellor, ndikimi bëhet shumë më i fortë, më karmike dhe më i gjatë në kohë.
Ky eklips në Luan prek më shumë dhjetëditëshin e tretë të Luanit, Ujorit, Demit dhe Akrepit. Për Luanin, është një moment i fuqishëm identiteti, ku hapen çështje që lidhen me veten, imazhin, zgjedhjet personale, krijimtarinë dhe mënyrën se si dikush dëshiron të shihet nga të tjerët. Për Ujorin, ndikimi kalon më shumë te marrëdhëniet, partneritetet dhe aleancat. Për Demin dhe Akrepin, mund të krijohen kthesa në familje, karrierë, vendime personale ose çështje sigurie. Më të ndjeshëm janë ata që kanë planetë ose pika të rëndësishme rreth gradëve 18° deri në 22° të shenjave fikse.
Ky eklips nuk është vetëm emocional. Ai kërkon guxim. Luani flet për zemrën, dinjitetin, dashurinë, fëmijët, krijimtarinë, skenën, ekspozimin dhe të drejtën për të qenë vetvetja. Prandaj, gjatë këtij muaji shumë njerëz mund të ndiejnë se nuk mund të qëndrojnë më në hije. Disa do të marrin një vendim të madh personal. Disa do të kuptojnë se ku kanë pritur shumë nga miratimi i të tjerëve. Disa të tjerë do të përballen me pyetjen: “A po jetoj me zemër, apo thjesht po luaj një rol?”
Rreth datave 12 deri më 17 gusht kemi edhe një grumbullim shumë të rëndësishëm aspektesh. Merkuri në Luan lidhet me Plutonin, Neptunin, Uranin, Afërditën, Jupiterin dhe Saturnin. Kjo do të thotë se fjalët, lajmet, vendimet dhe bisedat e kësaj periudhe nuk janë të vogla. Më 15 gusht, Merkuri bën konjunksion me Jupiterin në Luan, në 10°09’. Ky është një aspekt i madh për ide, lajme, vendime, njoftime, udhëtime, studime, krijimtari dhe shprehje publike. Ndikohen më shumë dhjetëditëshi i dytë i Luanit, Ujorit, Demit dhe Akrepit, por edhe Dashi dhe Shigjetari mund ta përjetojnë më pozitivisht, si hapje, optimizëm dhe mundësi për të thënë diçka me ndikim.
Megjithatë, muaji nuk është vetëm i lehtë. Më 17 gusht, Marsi në Gaforre formon aspekt të tensionuar me Neptunin në Dashi. Kjo mund të sjellë konfuzion në veprim, lodhje, pasiguri, reagime emocionale ose situata ku dikush nuk di qartë për çfarë po lufton. Ky ndikim prek sidomos dhjetëditëshin e parë të Gaforres, Dashit, Peshores dhe Bricjapit. Prandaj në mes të muajit duhet kujdes me vendimet e nxituara, konfliktet familjare, lodhjen emocionale dhe premtimet që nuk janë të qarta.
Më 18 gusht, Nyja Veriore në retrogradë largohet nga Peshqit dhe kalon në Ujor. Kjo është një lëvizje shumë e rëndësishme, sepse ndryshon gradualisht boshtin karmike që aktivizohet në periudhën e ardhshme. Nga temat Peshq–Virgjëreshë, që lidhen me besimin, shërbimin, sakrificën, shëndetin dhe rregullimin e jetës së përditshme, vëmendja fillon të kalojë më fort te boshti Ujor–Luan. Pra, individualiteti përballë grupit, egoja përballë kolektivit, krijimtaria personale përballë vizionit të përbashkët. Kjo i bën Luanin dhe Ujorin edhe më të rëndësishëm në zhvillimet e muajit.
Më 21 gusht, Afërdita në Peshore përballet me Saturnin në Dashi. Ky është një aspekt serioz për marrëdhëniet. Nuk është aspekt për lojëra, premtime të bukura apo emocione sipërfaqësore. Këtu shihet çfarë ka bazë dhe çfarë jo. Marrëdhëniet që kanë pjekuri mund të forcohen. Marrëdhëniet që mbahen vetëm nga zakoni, frika apo varësia, mund të përballen me ftohtësi, distancë ose nevojë për vendime. Ndikohen më shumë Dashi, Peshorja, Gaforrja dhe Bricjapi, sidomos dhjetëditëshi i dytë.
Më 23 gusht, Dielli hyn në Virgjëreshë. Këtu fillon një kapitull tjetër i muajit. Pas zjarrit të Luanit, pas eklipsit diellor dhe pas nevojës për vetëshprehje, energjia kalon te organizimi, puna, shëndeti, detajet, përgjegjësitë praktike dhe përmirësimi i jetës së përditshme. Më 25 gusht hyn edhe Merkuri në Virgjëreshë, duke e forcuar shumë këtë klimë analitike. Virgjëresha kërkon rregull. Kërkon prova. Kërkon zgjidhje konkrete. Nuk mjafton më të thuash “dua”. Duhet të dish si, kur dhe me çfarë plani.
Më 27 gusht, Dielli bashkohet me Merkurin në Virgjëreshë, në 04°26’. Ky është një moment shumë i rëndësishëm qartësimi, sidomos për dhjetëditëshin e parë të Virgjëreshës, Peshqve, Binjakëve dhe Shigjetarit. Mund të sjellë lajme, vendime, biseda, dokumente, diagnoza, organizim, plane pune ose një kuptim më të qartë të asaj që duhet rregulluar. Për Virgjëreshën, ky është një moment i fortë personal. Për Peshqit, lidhet me marrëdhëniet. Për Binjakët dhe Shigjetarin, mund të prekë familjen, karrierën, drejtimin jetësor ose përgjegjësitë praktike.
Kulmi i dytë i madh i muajit vjen më 28 gusht. Në orën 06:14, sipas orës së Shqipërisë, kemi eklipsin hënor në Peshq, në 04°51’. Pak minuta më vonë, në orën 06:18, kemi Hënën e Plotë në Peshq, në 04°53’. Ky është një moment shumë emocional, shumë intuitiv dhe shumë pastrues. Nëse eklipsi diellor në Luan hapte një kapitull të ri për zemrën, identitetin dhe guximin personal, eklipsi hënor në Peshq mbyll diçka në nivel shpirtëror, emocional ose psikologjik.
Ky eklips prek më shumë dhjetëditëshin e parë të Peshqve, Virgjëreshës, Binjakëve dhe Shigjetarit. Për Peshqit, është një moment shumë personal, ku mund të dalin në sipërfaqe ndjenja të mbajtura gjatë, lodhje, nevoja të fshehura ose dëshira për çlirim. Për Virgjëreshën, ndikimi kalon te marrëdhëniet, partneritetet dhe balanca mes kontrollit dhe dorëzimit. Për Binjakët dhe Shigjetarin, mund të ketë zhvillime në familje, punë, karrierë, vendbanim ose drejtim jetësor. Më të ndjeshëm janë ata që kanë planetë ose pika personale rreth 02° deri në 07° të shenjave të ndryshueshme.
Në të njëjtën ditë, Dielli dhe Merkuri në Virgjëreshë formojnë aspekte të tensionuara me Uranin në Binjakë. Kjo e bën fundin e muajit të paparashikueshëm. Mund të ketë lajme të papritura, ndryshim plani, tension nervor, vendime të shpejta, udhëtime, dokumente, biseda ose informacione që ndryshojnë mënyrën se si dikush e sheh një situatë. Sidomos dhjetëditëshi i parë i Binjakëve, Virgjëreshës, Shigjetarit dhe Peshqve duhet të jetë më i kujdesshëm me fjalët, nxitimin, stresin dhe reagimet e menjëhershme.
Në fund të muajit, më 31 gusht, Jupiteri në Luan formon trigon me Saturnin në Dashi. Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm, sepse bashkon zgjerimin me strukturën, besimin me përgjegjësinë, dëshirën për rritje me aftësinë për të ndërtuar diçka serioze. Ndikohen më pozitivisht dhjetëditëshi i dytë i Luanit, Dashit dhe Shigjetarit. Ky aspekt mund të ndihmojë në vendime afatgjata, plane krijuese, projekte personale, udhëtime, studime, karrierë dhe hapa që nuk mbeten vetëm dëshirë, por mund të marrin formë konkrete.
Në përgjithësi, gushti 2026 është një muaj që ndan qartë të vjetrën nga e reja. Shenjat që preken më shumë janë Luani, Ujori, Demi dhe Akrepi, sidomos dhjetëditëshi i tretë, për shkak të eklipsit diellor në Luan. Po aq të rëndësishme janë Peshqit, Virgjëresha, Binjakët dhe Shigjetari, sidomos dhjetëditëshi i parë, për shkak të eklipsit hënor në Peshq dhe aktivizimit të Virgjëreshës. Dashi, Peshorja, Gaforrja dhe Bricjapi ndikohen fort nga lëvizjet e Afërditës, Marsit dhe Saturnit, kryesisht në marrëdhënie, familje, përgjegjësi dhe vendime personale. Demi, sidomos dhjetëditëshi i parë, merr një ndikim të veçantë nga Kironi në retrogradë, që hap tema shërimi, sigurie dhe vetëvlerësimi.
Ky nuk është muaj për të ecur pa ndërgjegje. Gushti 2026 kërkon guxim, qartësi, pjekuri dhe pastrim emocional. Në fillim na pyet: “Kush je dhe çfarë dëshiron të shprehësh?” Në fund na pyet: “Çfarë duhet të lësh pas, që të vazhdosh më i lirë?” Prandaj, për shumë shenja, ky muaj mund të sjellë kthesa të rëndësishme, por edhe një mundësi të madhe për të kuptuar më thellë veten, marrëdhëniet dhe rrugën që duhet ndjekur nga tani e tutje.