
Fillojmë muajin Tetor, një periudhë ku marrëdhëniet tona personale dhe profesionale do të zënë vend të veçantë në vëmendjen tonë. Theksi kryesor i këtij muaji bie mbi shenjën e Peshores – shenjën e marrëdhënieve – me Diellin deri më 23/10/2025, Afërditën pas datës 14/10/2025 dhe Merkurin deri më 06/10/2025 në këtë shenjë.
Gjithashtu, fazat e Hënës, si Hëna e Re në Peshore më 21/10/2025 dhe Hëna e Plotë më 07/10/2025 në boshtin Dashi–Peshore, i japin rëndësi të shtuar marrëdhënieve dhe bashkëpunimeve. Rishikime marrëdhëniesh, partneritete të reja,persona të rinj dhe njohje vendimtare përfshihen në skenarët e këtij muaji. Pavarësisht vështirësive, Tetori mbetet një muaj më pozitiv krahasuar me atë që kaloi me eklipset e tij dhe me muajin pasardhës ku Merkuri retrograd do të provojë më fort qëndrueshmërinë tonë. Ky muaj përfaqëson një kalim gradual nga shenja e Peshores tek ajo e Akrepit, duke na ftuar të depërtojmë në shtigje më të thella dhe të zbulojmë çfarë fshihet përtej sipërfaqes.
Cila është dita më e përshtatshme për të realizuar takimet tuaja më të rëndësishme? Kur duhet të bëni një fillim të ri? Kur është e nevojshme të tregoni kujdes për çështje që lidhen me shëndetin dhe për veprime apo vendime të nxituara? Shënoni ditët pozitive dhe ato më sfiduese të Tetorit për të organizuar më mirë programin tuaj. Për informimin tuaj më të plotë, ju paraqes, përveç shenjave që ndikohen më shumë nga këto aspekte, edhe gradët më të ndjeshme ndaj tyre. Nëse nuk përmendet ndonjë ditë specifike e muajit, kjo nënkupton se nuk ekziston ndonjë ndikim domethënës në atë periudhë.
1 Tetor: Formohet katrori i Merkurit nga Peshorja me Jupiterin në Gaforre, një aspekt që na jep mendim pozitiv dhe optimizëm, por që njëkohësisht mund të na bëjë hezitues në veprimet tona dhe të pakujdesshëm ndaj detajeve. Mungesa e përqendrimit ose vështirësia për t’u fokusuar mund të na çojë në gabime të nxituara. Kërkohet kujdes ndaj teprimeve, sidomos në premtimet që u bëjmë të tjerëve, dhe të mos i mbivlerësojmë aftësitë tona. Ndikohen më shumë Dashët, Gaforret, Peshoret dhe Bricjapët e dhjetëditëshit të tretë ose ata që kanë horoskopin individual (ascendentin) afër gradës së 22-të të këtyre shenjave.
3 Tetor: Formohet opozita e Merkurit nga Peshorja me Kironin. Merkuri në Peshore është diplomatik dhe ka prirjen t’i zbukurojë gjërat, duke fshehur anët e pakëndshme të tyre. Megjithatë, opozita nga Kironi nuk e lejon këtë. Kështu, sado që të përpiqemi t’i bëjmë fjalët më të buta, në fund mund të themi diçka të gabuar dhe të prekemi ndjeshmëritë e dikujt. Ky është një aspekt i përshtatshëm për të kërkuar falje dhe për të mos shmangur bisedat mbi çështje që na kanë lënduar. Ndikohen më shumë Dashët, Gaforret, Peshoret dhe Bricjapët e dhjetëditëshit të tretë ose ata që kanë ascendentin afër gradës së 25-të të këtyre shenjave.
6 Tetor: Merkuri kalon në Akrep, një pozicion mjaft dinamik për planetin e informacionit, komunikimit, tregtisë dhe marrëdhënieve tona praktike. Edhe pse ujërat e Akrepit janë disi të errëta, Merkuri në këtë shenjë shfaq një mendje depërtuese me forcë dhe aftësi për të kuptuar edhe të vërtetat më të fshehura.
7 Tetor: Në orët e para të mëngjesit formohet Hëna e Plotë e Tetorit në boshtin Dashi–Peshore. Kjo Hënë e Plotë na fton të gjejmë ekuilibrin në marrëdhënie dhe bashkëpunime, pa humbur megjithatë individualitetin dhe vetëshprehjen tonë brenda tyre. Ndikohen me zhvillime Dashët, Gaforret, Peshoret dhe Bricjapët e dhjetëditëshit të dytë ose ata që kanë ascendentin apo planetë pranë gradës së 14-të të këtyre shenjave.
Po atë ditë, Merkuri formon katror me Plutonin – një aspekt ndihmues nëse dëshirojmë të bëjmë kërkime të thella mbi një çështje. Megjithatë, kërkohet kujdes ndaj mendimeve negative, teorive konspirative që mund të jenë të shumta, sepse nëse nuk shqyrtojmë gjërat me kujdes, rrezikojmë të besojmë diçka pa asnjë bazë logjike. Le të kundërvihemi ndaj mendimit negativ dhe fiksimeve me një mendje të hapur e fleksibile. Ky aspekt ndikon negativisht shenjat e grupit fiks: Demat, Luanët, Akrepat dhe Ujorët e dhjetëditëshit të parë ose ata që kanë planetë në këto shenja pranë gradës së 1-rë.
8 Tetor: Afërdita formon një sekstil me Jupiterin, një aspekt jashtëzakonisht fatlum që sjell optimizëm, mirëqenie, entuziazëm dhe sukses si në marrëdhënie, ashtu edhe në çështje financiare. Më të favorizuarit janë Demat, Virgjëreshat dhe Bricjapët, por gjithashtu edhe Gaforret, Akrepat dhe Peshqit e fillimit të dhjetëditëshit të tretë, ose ata që kanë Diellin ose ascendentin pranë gradës së 23-të.
11 Tetor: Një ditë ku mund të ndihemi të kufizuar ose të përjetojmë më shumë ankth dhe pasiguri lidhur me marrëdhëniet romantike apo financat, pasi mbizotëron opozita e Afërditës me Saturnin. Në një mënyrë, mund të ndiejmë se duhet të privojmë veten nga gjëra që i duam dhe na pëlqejnë, si p.sh. një regjim ushqimor kufizues. Mund të jetë e nevojshme të marrim vendime të rëndësishme për një marrëdhënie. Nuk është një ditë e favorshme për negociata financiare. Ndikohen më tepër Binjakët, Virgjëreshat, Shigjetarët dhe Peshqit e dhjetëditëshit të parë ose ata që kanë ascendentin apo planetë pranë gradës së 26-të të këtyre shenjave.
14 Tetor: Afërdita kalon në shenjën e dytë të qeverisjes së saj, Peshoren. Afërdita është planeti i bukurisë, i marrëdhënieve por edhe i pasurisë, dhe në shenjën e Peshores gjen mjedisin ideal për të shprehur dhuntitë e saj, duke na sjellë një shkallë më të madhe favoreje dhe fati.
Po atë ditë formohet opozita e Afërditës nga Peshorja me Neptunin në Dash. Ky aspekt mund të na bëjë më nostalgjikë për të kaluarën, me prirje për idealizim, si dhe të rrisë dëshirën për arratisje. Kërkohet kujdes në marrëdhënie, veçanërisht me persona që nuk i njohim mirë përsa i përket së kaluarës dhe karakterit të tyre, pasi mund të mashtrohemi si në aspektin emocional, ashtu edhe në atë financiar. Pritshmëritë e mëdha nën këtë ndikim shpesh sjellin zhgënjime të mëdha. Ndikohen më shumë Dashët, Gaforret, Peshoret dhe Bricjapët me ditëlindje në dhjetëditëshin e parë, ose ata që kanë Diellin ose ascendentin pranë gradës së parë të këtyre shenjave.
Po atë ditë formohet trigoni ndërmjet Afërditës dhe Uranit. Ky është një aspekt pozitiv që na bën më të ndjeshëm ndaj çështjeve të dashurisë dhe romancës. Lidhemi më lehtë me të tjerët, jemi më të gatshëm të krijojmë njohje të reja si personalisht ashtu edhe online, ndërkohë që ky është edhe aspekti i dashurisë së menjëhershme. Mund të na tërheqin persona apo gjëra të pazakonta. Është një ndikim i mirë për t’u apasionuar pas një hobi të ri, ndërsa mund të marrim edhe dhurata të papritura. Ndikohen pozitivisht shenjat e ajrit: Binjakët, Peshoret dhe Ujorët me ditëlindje në dhjetëditëshin e parë, ose ata që kanë ascendentin apo planetë pranë gradës së parë të këtyre shenjave.
Po atë ditë Plutoni hyn në fazë stacionare për të kaluar më pas në lëvizje të drejtë në shenjën e Ujorit, duke lehtësuar ndryshimet e thella në jetën tonë. Ky zhvillim do të ndikojë me transformime Demat, Luanët, Akrepat dhe Ujorët e dhjetëditëshit të parë ose ata që kanë ascendentin apo planetë pranë gradës së parë të këtyre shenjave.
15 Tetor: Afërdita nga Peshorja formon një trigon me Plutonin në Ujor. Ky aspekt shton nevojën tonë për dashuri, romancë dhe butësi. Megjithatë, dëshirojmë të përjetojmë situata më të forta dhe pasionante në marrëdhënie, e jo lidhje të vakëta. Kjo mund t’i çojë ata që ndikohen në zgjedhje që ndoshta janë “të rrezikshme”, pasi tërheqin tipe më të errëta. Nëse megjithatë jemi në një marrëdhënie të shëndetshme, ky ndikim e bën më të fuqishme jetën tonë seksuale. Ky aspekt ndikon pozitivisht shenjat e ajrit: Binjakët, Peshoret dhe Ujorët me ditëlindje në dhjetëditëshin e parë, ose ata që kanë ascendentin apo planetë pranë gradës së parë të këtyre shenjave. Për disa, kjo periudhë mund të sjellë një njohje karmike ose një lajm të fuqishëm në fushën financiare.
17 Tetor: Formohet katrori i Diellit nga Peshorja me Jupiterin në Gaforre. Në thelb, ky është një aspekt optimist, por që mund të funksionojë si një thikë me dy tehe. Nga njëra anë ndjehemi optimistë, kemi vetëbesim dhe mendojmë se jemi me fat, ndërsa nga ana tjetër bëhemi të padisiplinuar, të nxituar në gjykimet tona dhe të tepruar në atë që themi apo bëjmë. Është e rëndësishme të përpiqemi të mos marrim shumë projekte njëkohësisht dhe kështu ta shpërndajmë energjinë tonë pa u përqendruar tek synimet tona të vërteta. Ndikohen më shumë Dashët, Gaforret, Peshoret dhe Bricjapët e dhjetëditëshit të tretë ose ata që kanë ascendentin pranë gradës së 24-të të këtyre shenjave.
Po atë ditë formohet opozita e Diellit nga Peshorja me Kironin në Dash, një aspekt që në një farë mënyre na kujton plagë të vjetra që ende nuk janë shëruar, duke na shtyrë të ndërmarrim veprime dhe të hyjmë në procesin e shërimit të tyre. Dielli simbolizon “unin”, ndërsa Kironi përfaqëson “plagët”. Kur kemi një aspekt opozite, duket se egoja jonë mund të mos na lejojë të arrijmë shërimin që kemi nevojë. Mund të vetëkritikohemi ashpër, sidomos nëse kemi bërë ndonjë gabim, ose të përjetojmë mungesë vetëbesimi apo edhe kriza identiteti. Ndikohen më shumë Dashët, Gaforret, Peshoret dhe Bricjapët e dhjetëditëshit të tretë ose ata që kanë ascendentin pranë gradës së 24-të të këtyre shenjave.
20 Tetor: Formohet konjuksioni i Merkurit me Marsin në Akrep. Nga njëra anë, ky aspekt sjell shpejtësi në të menduar, refleks të menjëhershëm, bindje dhe forcë në nivel mendor. Nga ana tjetër, mund të na bëjë të pakujdesshëm, të nxituar në gjykimet tona dhe disi të rrezikshëm në drejtim. Kërkohet kujdes i veçantë ndaj konflikteve dhe tensioneve nga Demat, Luanët, Akrepat dhe Ujorët në fund të dhjetëditëshit të dytë – fillim të dhjetëditëshit të tretë, ose ata që kanë Diellin ose ascendentin pranë gradës së 19-të të këtyre shenjave.
21 Tetor: Formohet Hëna e Re e Tetorit në shenjën e Peshores, dhe mund të ndiejmë nevojën për më shumë ekuilibër dhe harmoni në jetën tonë. Nga ana tjetër, meqë shenja e Peshores shpesh qëndron në sipërfaqe dhe në përshtypje, mund të mos dëshirojmë të “prishim” harmoninë me biseda të thella. Ky është një ndikim pozitiv kryesisht në nivel marrëdhëniesh dhe bashkëpunimesh, por meqë formon katror me Jupiterin, është mirë të mos japim shumë premtime apo të mos kemi pritshmëri të larta nga të tjerët. Ndikohen Dashët, Peshoret, Gaforret dhe Bricjapët e dhjetëditëshit të tretë ose ata që kanë ascendentin pranë gradës së 28-të të këtyre shenjave.
22 Tetor: Neptuni fillon lëvizjen retrograde në shenjën e Peshqve. Kjo është hera e fundit që Neptuni tërhiqet në mënyrë retrograde në Peshq për të mbyllur ciklin 165-vjeçar që i nevojitet për të përshkuar të gjithë zodiakun. Në këtë shenjë ai ndodhet që prej vitit 2012. Këtu rikthehet në shenjën e qeverisjes së tij për të na ofruar për herë të fundit mundësinë e pastrimeve të brendshme dhe çlirimit nga iluzionet dhe konfuzioni. Në muajt e ardhshëm mund të përjetoni një ngadalësim në veprimet e jashtme dhe një thirrje për t’u kthyer nga brenda, në mënyrë që të siguroheni se jeni në rrugën e duhur të jetës suaj.
23 Tetor: Dielli kalon në shenjën e Akrepit dhe nisin ditëlindjet e shenjës së 8-të të zodiakut.
24 Tetor: Dielli nga Akrepi formon një katror me Plutonin, një aspekt mjaft kërkues që shton nevojën tonë për kontroll, ndërkohë që mund të çojë në reagime egoiste dhe përplasje me figura autoriteti. Nuk përjashtohet mundësia e një krize ose një situate të tensionuar në një marrëdhënie. Ndikohen Demat, Luanët, Akrepat dhe Ujorët e dhjetëditëshit të parë ose ata që kanë ascendentin apo planetë pranë gradës së parë të këtyre shenjave. Nuk është një ditë e përshtatshme për rrezik dhe duhet të shmangim personat manipulues.
Po atë ditë formohet katrori i Jupiterit nga Gaforrja me Kironin në Dash. Ky është i pari nga tre katrorët që do të krijohen mes tyre deri në verën e vitit 2026. Në këtë periudhë mund të kërkojmë më shumë kuptim në jetën tonë në lidhje me besimet, idetë dhe filozofinë që kemi përballë jetës. Mund të shfaqen rrethana ose ngjarje që të na bëjnë të vëmë në dyshim besimin ose ideologjinë tonë. Ose mund të kemi ndjesinë se të tjerët nuk e kuptojnë vizionin dhe ideologjinë tonë. Më e rëndësishmja nën këtë ndikim është të riorganizojmë qëllimet tona, të rishikojmë botëkuptimin tonë dhe të kemi kujdes të mos e teprojmë me ekzaltime apo teprime. Ndikohen Dashët, Gaforret, Peshoret dhe Bricjapët e dhjetëditëshit të tretë ose ata që kanë ascendentin pranë gradës së 24-të të këtyre shenjave.
Po atë ditë formohet trigoni ndërmjet Merkurit dhe Jupiterit. Ky aspekt është me fat për komunikim, kontakte, udhëtime, takime, çdo gjë që lidhet me internetin, për blerje pajisjesh apo mjete transporti, si edhe për të pasur ide të freskëta dhe frymëzuese. Ky ndikim përfshin shenjat e ujit: Gaforret, Akrepat dhe Peshqit, por gjithashtu përfitim do të kenë edhe Demat, Virgjëreshat dhe Bricjapët e dhjetëditëshit të tretë ose ata që kanë Diellin ose ascendentin pranë gradës së 24-të të këtyre shenjave.
25 Tetor: Formohet trigoni i Merkurit nga Akrepi me Saturnin në Peshq, i cili na ndihmon të jemi më të organizuar, të sistemojmë me lehtësi çështjet tona dhe gjithashtu është mbështetës në nivel profesional për marrëveshje dhe bashkëpunime. Ky aspekt favorizon më shumë Gaforret, Akrepat, Peshqit, Bricjapët dhe Virgjëreshat e dhjetëditëshit të tretë ose ata që kanë ascendentin apo planetë pranë gradës së 26-të.
28 Tetor: Marsi nga Akrepi takohet me Jupiterin në një trigon, duke sjellë mundësi për marrje iniciative, veprim konkret, fillime të suksesshme dhe avancim të projekteve. Ky ndikim përfshin Gaforret, Akrepat, Peshqit, Demat, Virgjëreshat dhe Bricjapët me ditëlindje në dhjetëditëshin e tretë ose ata që kanë Diellin ose ascendentin pranë gradës së 24-të të këtyre shenjave.
29 Tetor: Merkuri nga Akrepi formon një trigon me Neptunin në Peshq. Ky aspekt tregon intuitë dhe instinkt të fuqishëm, frymëzim artistik, imagjinatë, shpikje, kreativitet, empati, por edhe prirje për arratisje. Gaforret, Akrepat dhe Peshqit mund të përfitojnë nëse Dielli ose ascendentin i tyre ndodhet nga grada e 26-të deri tek e 29-ta e këtyre shenjave.
Po atë ditë Merkuri kalon në shenjën e Shigjetarit. Megjithëse Shigjetari është një shenjë ku Merkuri konsiderohet teorikisht në dobësi (pasi qeveris shenjën e kundërt, Binjakët), ky pozicion na jep mundësinë të jemi më pozitivë në të menduar, më optimistë dhe më të hapur në qasjen ndaj të tjerëve, ndërsa është gjithashtu i favorshëm për planifikimin e udhëtimeve. Megjithatë, në këtë shenjë ai do të kthehet në dukje retrograd më 09/11 dhe do të rikthehet në Akrep në lëvizje retrograde më 19/11. Lëvizja e tij retrograde do të përfundojë më 29/11. Në shenjën e Shigjetarit do të rikthehet sërish më 12/12.
Po atë ditë formohet trigoni i Marsit nga Akrepi me Saturnin në Peshq, një aspekt që sjell vendosmëri, disiplinë, përqendrim në objektiva ambiciozë dhe sukses afatgjatë. Ky ndikim favorizon shenjat e ujit: Gaforret, Akrepat dhe Peshqit e dhjetëditëshit të tretë ose ata që kanë ascendentin apo planetë pranë gradës së 25-të të këtyre shenjave.
Po atë ditë formohet edhe opozita e Merkurit me Uranin, e cila sjell probleme në komunikim ose në teknologji, në rrjetet sociale, mungesë durimi, shpërthime në sjellje dhe prirje për përçarje. Ndikohen më shumë Binjakët, Virgjëreshat, Shigjetarët dhe Peshqit që kanë Diellin ose ascendentin pranë gradës së parë të këtyre shenjave.
31 Tetor: Formohet sekstili i Merkurit nga Shigjetari me Plutonin në Ujor, i cili ndihmon të kemi mendim hulumtues, të zgjidhim me lehtësi mistere dhe enigma mendore, si edhe të përqendrohemi tek objektivat tanë. Ky aspekt ndikon pozitivisht kryesisht Dashët, Luanët, Shigjetarët, Binjakët, Peshoret dhe Ujorët që kanë Diellin ose ascendentin në gradën e parë të këtyre shenjave.