
12 TETOR 2026 – DITA E NDJENJAVE TË THELLA DHE E TË VËRTETAVE TË FSHEHURA
12 tetori e ndryshon ndjeshëm atmosferën, sepse Hëna kalon në Akrep dhe bashkohet me energjinë e Merkurit dhe Afërditës në retrogradë në të njëjtën shenjë. Kjo është një ditë shumë më intensive emocionalisht dhe psikologjikisht. Nga diplomacia e Peshores kalojmë në thellësinë e Akrepit. Nuk na mjafton më të duket çdo gjë e qetë. Duam të dimë çfarë ndodh realisht. Duam të ndiejmë, të kuptojmë, të zbulojmë, të shohim motivet e fshehta, të flasim për atë që zakonisht shmanget.
Hëna në Akrep prek më shumë Akrepin, Demin, Luanin dhe Ujorin, sidomos dhjetëditëshin e parë dhe fillimin e dhjetëditëshit të dytë. Për Akrepin, kjo ditë është shumë personale dhe emocionale. Për Demin, marrëdhëniet dhe partneritetet mund të bëhen më të ndjeshme. Për Luanin, familja, shtëpia dhe jeta private kërkojnë vëmendje. Për Ujorin, karriera, statusi dhe imazhi publik mund të marrin një ngarkesë më të fortë emocionale.
Hëna në Akrep aktivizon Afërditën në retrogradë dhe Merkurin në Akrep. Kjo mund të sjellë biseda intime, kontakte nga e kaluara, rikthim ndjenjash, kujtime, dëshirë për të kuptuar një lidhje më thellë, ose një çështje financiare që lidhet me besimin. Është ditë shumë e mirë për terapi, për analizë psikologjike, për kërkim të së vërtetës, për të kuptuar një motiv të fshehtë, për të folur me sinqeritet për atë që dhemb. Por nuk është ditë e mirë për kontroll, për hetim obsesiv, për xhelozi, për presion emocional ose për vendime që merren në kulmin e pasionit.
Merkuri në Akrep ndodhet rreth gradës 12° dhe vazhdon të thellojë mendimin. Ai prek fort shenjat fikse të dhjetëditëshit të dytë. Me Hënën në të njëjtën shenjë, fjala mund të ketë fuqi të madhe. Mund të themi gjëra që nuk i kemi thënë më parë. Mund të marrim një mesazh që na prek. Mund të kuptojmë diçka nga një heshtje. Mund të ndiejmë se një bisedë ka më shumë peshë nga sa duket. Kjo është ditë ku intuita është shumë e fortë, por duhet dalluar intuita nga dyshimi.
Në dashuri, 12 tetori është ditë shumë magnetike. Mund të ketë pasion, rikthim, kujtime të forta, nevojë për afërsi, por edhe ndjeshmëri ndaj refuzimit ose heshtjes. Për ribashkim, dita mund të sjellë një moment shumë emocional, por duhet shmangur kthimi vetëm nga nostalgjia ose nga dëshira për të kontrolluar një histori të papërfunduar. Për marrëdhënie ekzistuese, është ditë e mirë për të folur për besim, intimitet, para të përbashkëta dhe plagë të vjetra, por vetëm nëse palët janë gati për ndershmëri.
Në punë, dita është e mirë për hetim, strategji, kërkim, auditim, punë me dosje, financa të fshehta, dokumente delikate, psikologji, terapi, mjekësi, analiza, çështje konfidenciale dhe përgatitje të thellë. Nuk është dita më e mirë për prezantime shumë të lehta, marrëveshje sipërfaqësore ose bashkëpunime ku nuk ka besim të plotë. Për intervistë, mund të jetë e mirë nëse kërkohet seriozitet dhe thellësi, por duhet shmangur toni shumë i dyshimtë ose shumë kontrollues.
Në financa, dita kërkon kujdes me para të përbashkëta, borxhe, kredi, taksa, trashëgimi, investime dhe shpenzime të fshehta. Mund të jetë ditë e mirë për të parë ku ka rrjedhje parash, ku ka detyrime të vjetra ose ku një marrëveshje nuk është e drejtë. Për blerje të mëdha, sidomos gjëra luksi ose objekte të shtrenjta, më mirë të pritet. Për check-up, terapi, analiza ose trajtime që kërkojnë thellësi, dita është e përshtatshme.
Duhet të shmangen xhelozia, dyshimi pa prova, kontrolli i tepruar, fjalët therëse, manipulimi në dashuri, vendimet nga pasioni, firmat në marrëveshje të paqarta dhe çdo lloj loje psikologjike. Dita ka fuqi shëruese, por vetëm nëse përdoret për të kuptuar, jo për të dominuar.
Këshilla e ditës:
Sot mos u kënaqni me atë që duket në sipërfaqe, por mos e ngatërroni intuitën me dyshimin. Është ditë e mirë për biseda të sinqerta, terapi, analiza dhe sqarime në marrëdhënie ose financa, por jo për xhelozi, kontroll apo vendime të marra në kulmin e pasionit. Kërkoni të vërtetën për të kuptuar dhe shëruar, jo për të kontrolluar.
Mos harroni ti bëni Like faqeve tona në Facebook
https://www.facebook.com/jorgopulla.astrologu
Ju presim…