
28 SHTATOR 2026 – DITA E KTHESËS: NGA PLAGËT E VJETRA TE NJË DREJTIM I RI
Më 28 shtator kemi një ditë shumë aktive dhe shumë të rëndësishme, sepse ndodhin disa zhvillime të mëdha: Marsi ndodhet në fund të Gaforres dhe hyn në Luan, ndërsa Dielli në Peshore krijon trinë me Uranin në retrogradë në Binjakët, rreth 5 gradë të shenjave të ajrit. Në të njëjtën kohë, Marsi në fund të Gaforres aktivizon fuqishëm Khironin në retrogradë në fund të Dashit, duke hapur plagë të vjetra rreth guximit, zemërimit, familjes, mbrojtjes dhe identitetit. Kjo është ditë kthese. Nuk është ditë e qetë, por është ditë që mund të hapë drejtim të ri.
Marsi në Gaforre në gradën 29 tregon një kulm emocional. Gaforrja lidhet me shtëpinë, familjen, kujdesin, sigurinë, nënën, kujtimet, rrënjët dhe mbrojtjen. Kur Marsi arrin gradën e fundit të kësaj shenje, mund të kemi një reagim të fundit, një tension familjar, një vendim emocional, një nevojë për të mbrojtur veten ose njerëzit tanë, ose një situatë që ka grumbulluar zemërim. Kjo energji prek më shumë Gaforren, Dashin, Peshoren dhe Bricjapin e dhjetëditëshit të tretë, sidomos ata që kanë planetë në gradat 27–29. Mund të ketë tension në familje, karrierë, marrëdhënie ose trup.
Aktivizimi i Khironit në fund të Dashit e bën ditën edhe më delikate. Khironi në retrogradë në Dash prek plagën e identitetit, frikën për të vepruar, dhimbjen e vjetër nga refuzimi, zemërimin e shtypur dhe ndjenjën se duhet të luftojmë për të ekzistuar. Kur Marsi e prek nga Gaforrja, plagët familjare, emocionale ose të vjetra mund të dalin në sipërfaqe. Dikush mund të reagojë fort sepse ndihet i pambrojtur. Dikush mund të kujtojë një dhimbje të vjetër. Dikush mund të mbrojë veten në mënyrë agresive. Prandaj, në pjesën e parë të ditës duhet shumë kujdes me konfliktet familjare, fjalët ndaj prindërve, fëmijëve, partnerit ose njerëzve të afërt.
Pastaj Marsi hyn në Luan dhe e ndryshon menjëherë energjinë e veprimit. Marsi në Gaforre ishte emocional, mbrojtës dhe shpesh indirekt. Marsi në Luan bëhet më i hapur, më krenar, më krijues, më teatral, më guximtar dhe më i dukshëm. Ai kërkon të veprojë me zemër, të marrë skenën, të fitojë respekt, të shprehë dëshirën dhe të luftojë për atë që e bën të ndihet i gjallë. Ky kalim është shumë i rëndësishëm për Luanin, Ujorin, Demin dhe Akrepin, sidomos dhjetëditëshi i parë në ditët e para. Luani merr energji, guxim dhe iniciativë. Ujori përballet me marrëdhënie më aktive dhe ndonjëherë më konfliktuale. Demi mund të ketë lëvizje në shtëpi dhe familje. Akrepi mund të ndiejë presion dhe ambicie në karrierë.
Marsi në Luan është i mirë për krijimtari, sport, skenë, promovim, lidership, projekte publike, dashuri, fëmijë dhe veprime që kërkojnë guxim. Por ai mund të sjellë edhe ego, krenari, dramatizim, luftë për vëmendje dhe përplasje me njerëz që nuk duan të dorëzohen. Kjo energji do të bëhet edhe më intensive në ditët në vijim, kur Marsi do të afrohet drejt përballjes me Plutonin në Ujor. Prandaj, që në hyrje, duhet të mësojmë ta përdorim me mençuri: guxim, po; arrogancë, jo.
Në të njëjtën ditë, Dielli në Peshore krijon trinë me Uranin në retrogradë në Binjakët. Ky është aspekt shumë pozitiv për ide të reja, çlirim, komunikim, marrëdhënie, udhëtime, teknologji, media, studime, zgjidhje të papritura dhe marrëveshje që kërkojnë mendje të hapur. Pas tensionit emocional të Marsit me Khironin, ky aspekt sjell dritare ajri. Mund të vijë një lajm i mirë, një ide, një kontakt, një mundësi për bashkëpunim, një zgjidhje në dokumente, ose një mënyrë e re për të parë një marrëdhënie.
Nga trina Diell–Uran përfitojnë më shumë Peshorja, Binjakët dhe Ujori, sidomos dhjetëditëshi i parë dhe gradat rreth 4–7. Peshorja mund të ketë hapje personale dhe marrëdhënie më të lira. Binjakët mund të përjetojnë zgjim identiteti dhe ide të reja. Ujori mund të përfitojë në udhëtime, dashuri, krijimtari dhe studime. Edhe Luani dhe Shigjetari mund ta përdorin këtë aspekt për projekte, komunikim dhe vizion.
Kjo ditë është shumë e mirë për ide të reja, komunikim publik, media, teknologji, prezantim, krijimtari, sport, fillim projekti krijues dhe vendime që kërkojnë guxim. Por nuk është dita më e mirë për biseda familjare të ngarkuara, për nënshkrime pa kontroll, për debate, për operacione pa urgjencë, për veprime impulsive ose për të provuar forcën. Për dashuri, dita mund të jetë e zjarrtë dhe magnetike, por duhet kujdes me krenarinë. Për ribashkim, mund të ketë dëshirë për kontakt, por plagët e vjetra mund të dalin menjëherë. Për propozim, më mirë të mos bëhet nga dramatizim ose dëshirë për efekt.
Duhet të shmangim zemërimin familjar, nxitimin, reagimet nga plagë e vjetër, dramat, egoizmin, garën për vëmendje, fjalët e ashpra, shpenzimet për imazh dhe vendimet që bëhen për të provuar diçka. Dita është shumë e fuqishme, por kërkon vetëkontroll. Mund të hapë rrugë të re, nëse nuk e djegim me impuls.
Këshilla e ditës:
Sot mund të ndizet shpejt një reagim i vjetër, sidomos në familje ose në marrëdhënie, ndaj mos veproni nga zemërimi, krenaria apo nevoja për të provuar forcën tuaj. Përdoreni energjinë për ide të reja, krijimtari, komunikim dhe një hap që ju çon përpara. Mos e lini një plagë të vjetër të vendosë për të ardhmen tuaj.
Mos harroni ti bëni Like faqeve tona në Facebook
https://www.facebook.com/jorgopulla.astrologu
Ju presim…