
1 SHTATOR 2026 : DITA QË TË TESTON DURIMIN
Muaji Shtator 2026 hapet me një energji shumë të fortë të Virgjëreshës, sepse Dielli dhe Merkuri ndodhen në këtë shenjë dhe e vendosin vëmendjen te puna, organizimi, shëndeti, detajet, rutina, dokumentet dhe vendimet që kërkojnë mendje të kthjellët. Por dita nuk është e lehtë, sepse Marsi në Gaforre formon katror me Saturnin në retrogradë në Dash, rreth 13 gradë të shenjave kardinale. Ky është një nga aspektet më të rëndësishme të fillimit të muajit dhe tregon përplasje midis dëshirës për të vepruar dhe kufizimeve që vendos realiteti.
Marsi në Gaforre vepron nga ndjenja, nga nevoja për mbrojtje, familje, siguri dhe emocione të grumbulluara. Saturni në retrogradë në Dash kërkon përgjegjësi, vetëkontroll, durim dhe pjekuri. Kur këto dy energji krijojnë katror, mund të kemi bllokim, lodhje, irritim, tension familjar, presion në trup, pengesa në punë ose situata ku dikush dëshiron të shtyjë përpara, por përballet me murin e detyrimeve. Kjo ditë nuk është e përshtatshme për veprime impulsive, për debate, për ultimatume, për vendime nga zemërimi apo për fillime që kërkojnë rrjedhë të qetë.
Nga ky aspekt ndikohen më shumë Dashi, Gaforrja, Peshorja dhe Bricjapi, sidomos dhjetëditëshi i dytë, me theks te ata që kanë planetë ose pika të rëndësishme rreth 12–15 gradë. Dashi mund të ndiejë presion personal, lodhje ose përgjegjësi të rënda. Gaforrja mund të ndiejë tension në trup, në familje ose në marrëdhënie. Peshorja mund të përballet me presion nga partnerë, kontrata ose njerëz përballë saj. Bricjapi mund të ndiejë tension midis familjes, marrëdhënieve dhe detyrimeve të jashtme. Kjo nuk është ditë për të provuar forcën me kokëfortësi. Është ditë për të matur hapat.
Në të njëjtën ditë, Merkuri në Virgjëreshë formon sekstil me Marsin në Gaforre, po rreth 13 gradë. Ky aspekt e zbut disi klimën, sepse jep aftësi për të folur, për të analizuar, për të gjetur zgjidhje praktike dhe për të kthyer tensionin në veprim të organizuar. Merkuri në Virgjëreshë mendon qartë, Marsi në Gaforre vepron për të mbrojtur. Prandaj, nëse dita përdoret me maturi, është e mirë për të diskutuar çështje pune, familjeje, shëndeti, dokumentesh, organizimi, përgjegjësish ose çështje që kanë nevojë për zgjidhje konkrete. Por kushti është një: fjala duhet të jetë e matur dhe veprimi të mos vijë nga zemërimi.
Kjo ditë mund të përdoret për check-up, për fillim diete ose për rregullim rutine, sepse energjia e Virgjëreshës ndihmon sistemin, ndërsa Marsi në Gaforre tregon nevojën për kujdes ndaj trupit dhe emocioneve. Është ditë e mirë për terapi, për biseda familjare të kontrolluara, për rregullim të një problemi praktik në shtëpi, për planifikim pune dhe për vendime që kërkojnë disiplinë. Nuk është ditë ideale për nënshkrime të nxituara, blerje të mëdha, propozime emocionale, debate në çift, operacione pa nevojë urgjente, udhëtime me nervozizëm ose veprime që bëhen vetëm për të treguar forcë.
Hëna kalon nga Dashi në Dem gjatë ditës, duke e ndryshuar gradualisht klimën nga impulsive në më praktike. Me Hënën në Dem, pas mesditës, ka më shumë nevojë për stabilitet, siguri, qetësi, ushqim, trup dhe ekonomi. Kjo ndihmon për të ulur ritmin, por nuk e heq tensionin e Marsit me Saturnin. Prandaj, këshilla e ditës është: mos nxitoni, mos provokoni, mos e merrni personalisht çdo pengesë. Nëse diçka vonohet, ndoshta ka arsye. Nëse një derë nuk hapet me forcë, kërkoni çelësin, jo çekiçin.
Këshilla e ditës:
Mos luftoni me çdo pengesë që shfaqet. Sot suksesi nuk vjen duke ushtruar më shumë forcë, por duke ditur kur të ndaloni, të mendoni dhe të ndryshoni strategji. Mbani nën kontroll nervozizmin, shmangni debatet dhe mos merrni vendime të rëndësishme në kulmin e emocioneve. Ajo që nuk zgjidhet me forcë, mund të zgjidhet me maturi.
Mos harroni ti bëni Like faqeve tona në Facebook
https://www.facebook.com/jorgopulla.astrologu
Ju presim…